Të premten hendbollistet e Kosovës U19 shënuan fitore të rëndësishme me rezultatin 35:26 kundër Izraelit, në ndeshjen e parë për plasman nga vendet 5 deri në 8 në Kampionatin Evropian të Divizionit B, që po zhvillohet në Gjeorgji.
Që në minutat e para, vajzat e Kosovës krijuan një epërsi të qartë, duke u çuar në 5:0 dhe më pas në 11:1, dhe kontrolluan lojën deri në fund të takimit, shkruan AutoPortali.
Në këtë fitore, Martina Bibaj u dallua si golashënuesja kryesore me 10 gola nga 12 tentime, ndërsa Diona Dresh shtoi 7 gola nga 9 tentime dhe Arjeta Imeraj realizoi 6 gola nga 7 tentime.
Me nga 3 gola përfunduan ndeshjen Sara Gjergjaj dhe Zoja Kameraj, ndërsa nga 2 gola shënuan Orgesa Gola dhe Elona Zeneli. Me nga një gol kontribuan edhe Klaudia Ukaj dhe Arona Krasniqi.
Portierja Donjeta Shabani ishte një faktor kyç në fitoren e Kosovës, duke bërë 13 pritje dhe u shpall më e mira e ndeshjes.
Tani, Kosova U19 do të luajë për vendin e pestë në Evropianin B, me ndeshjen për këtë pozicion që pritet të zhvillohet të dielën.
Në fazën grupore, Kosova kishte arritur dy fitore dhe dy humbje, duke siguruar kështu një pozicion mes skuadrave që luftojnë për vendet e larta në divizion. /AutoPortali



