Drejtori i Ferrarit, Fredwric Vasseur, deklaroi se ekipi i tij “e bëri një punë të mirë” në garën për Çmimin e Madh të Majamit, pavarësisht frustrimeve që shfaqën publikisht gjatë garës Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc.
Gjatë garës, Hamilton kërkoi nga skuadra që ta lejonin të kalonte përpara shokut të skuadrës, Leclerc, në mënyrë që të përpiqej të kapte Kimi Antonellin nga Mercedes në luftën për vendin e gjashtë. Megjithatë, kjo leje nuk iu dha menjëherë, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek shtatë herë kampioni i botës.
Pas disa xhirove, Leclerc gjithsesi e lejoi Hamiltonin të kalonte, por ky i fundit nuk arriti të shkëputej ndjeshëm me gomat e forta. Pak më vonë, Hamilton ia ktheu pozicionin Leclercit dhe me sarkazëm pyeti në radio nëse duhet të linte të kalonte edhe Carlos Sainz nga Williams.
Hamilton më vonë zbuloi se pas garës i kishte thënë shefit të ekipit, Vasseur, që “të mos jetë kaq i ndjeshëm” dhe shtoi se nuk do të kërkonte falje “për faktin që është luftarak”.
“Unë e kuptoj frustrimin e djemve në makinë, por mendoj se në fund ia dolëm mirë. Lewis ishte pas Charlesit, kishte një komponentë më të butë të gomave, e lejuam të kalonte dhe, në përputhje me rregullat brenda skuadrës, më pas ia kthyem pozicionin”, deklaroi Vasseur për Sky Sports.
Gjatë një sërë mesazhesh nervoze në radio, Hamilton i kujtoi skuadrës edhe garën e mëparshme në Kinë, kur ai e kishte lejuar Leclercin të kalonte, ndërsa në një moment tha me ironi: “Bëni një pushim për çaj”.
“I dhamë Lewisit mundësinë të shkonte përpara sepse pa atë ndihmë, parakalimi do të ishte i pamundur. Ishte një përpjekje për të kapur Antonellin dhe mendoj se e bëmë një punë të mirë. Kam folur me Lewisin dhe mund ta kuptoj plotësisht frustrimin. Ata janë kampionë, duan të fitojnë. Ne po u kërkojmë të lejojnë një shok skuadre të kalojë, kjo nuk është kurrë e lehtë. Por ne mbajmë përgjegjësi sepse kjo është politika e ekipit”, shtoi Vasseur.

Ferrari e përfundoi garën në Miami në vendin e shtatë dhe të tetë, ndërsa shansi i radhës për ekipin vjen në Çmimin e Madh të Emilia-Romagna në Imola.
“Ne mbi të gjitha garojmë për Ferrarin. Sinqerisht, mendoj se si skuadër kemi bërë një punë të mirë. Mund të diskutojmë nëse duhej ta kishim bërë këtë gjysmë xhiro më herët apo më vonë, por kur je në murin e pit-it, duhet të vlerësosh nëse makina që vjen pas është më e shpejtë vetëm për shkak të DRS-it apo jo. Nuk është një vendim i lehtë. U kërkuam ta bënin dhe e bënë. Frustrimi në makinë është i kuptueshëm. Pas bisedës, atmosfera ishte dukshëm më e relaksuar”, përfundoi Vasseur.



