Bugatti Chiron i Mate Rimacit është rikthyer pas një ndjekjeje spektakolare përmes tri shteteve. Hajduti u arrestua në Austri, pasi u detyrua të ndalonte për të furnizuar me karburant supermakinën me 1,500 kuaj fuqi.
Lajmin për vjedhjen e konfirmoi vetë sipërmarrësi kroat Mate Rimac përmes një videoje në rrjetet sociale.
“Po, është e vërtetë, ma kanë vjedhur Bugattin!”, deklaroi ai, duke konfirmuar se automjeti tashmë është rikthyer.
Sipas Rimacit, hajduti kishte hyrë në kampusin e kompanisë, kishte gjetur makinën të hapur me çelësat brenda dhe ishte larguar pa u vënë re fillimisht nga punonjësit.
Falë sistemit të integruar të telemetrisë, Bugatti mund të gjurmohej në kohë reale përmes GPS-it, duke treguar vendndodhjen, shpejtësinë dhe nivelin e karburantit.
“Kur pashë se po drejtohej drejt Sllovenisë, u futa në Porsche 911 dhe u nisa pas tij, edhe pse kishte rreth një orë përparësi”, tregoi Rimac.
Hajduti 36-vjeçar kaloi Slloveninë dhe hyri në Austri, por konsumi i lartë i karburantit e detyroi të ndalonte në një pompë në rajonin e Steiermarkut. Policia austriake, e cila po e ndiqte përmes të dhënave të telemetrisë, e arrestoi menjëherë.
Bugatti / Rimac owner got his Bugatti Chiron stolen and had to chase the guy by himself.. 😱 pic.twitter.com/5iVJTN5EAX
— Deep Value Investing (@DeepIceValue) October 30, 2026
Rimac nuk dëshiron ta padisë privatisht hajdutin
I dyshuari e pranoi vjedhjen gjatë marrjes në pyetje. Sipas Rimacit, ai kishte shkuar në kampusin e kompanisë në kërkim të një pune dhe dukej në gjendje të rënduar emocionale.
Pronari i kompanisë vendosi të mos ngrejë padi private ndaj tij, megjithëse autoritetet në Kroaci dhe Austri do të vazhdojnë procedurat zyrtare për shkak të vlerës së automjetit.
Bugatti Chiron pësoi vetëm dëmtime të vogla në parakolpin e përparmë dhe, fatmirësisht, askush nuk u lëndua gjatë ndjekjes.
Pas këtij incidenti, Rimac bëri të ditur se nuk do t’i lërë më kurrë çelësat brenda makinave të tij, duke theksuar se supermakinat moderne mund të gjurmohen në çdo moment përmes teknologjisë së integruar.



