Edicioni i 49-të i Rally Dakar do të zhvillohet nga 7 deri më 23 janar 2027, pasi konflikti në Lindjen e Mesme e bëri të pamundur organizimin e garës në Arabinë Saudite.
Gara do të nisë në Portugali, ku Stadiumi Algarve do të presë etapën Prolog dhe etapën e parë të plotë. Më pas, garuesit do të zhvendosen në Marok, ku do të zhvillohen nëntë etapat e mbetura.
Itinerari do të përfshijë afro 8,000 kilometra, duke nisur nga jugu i Marokut, për të vazhduar drejt veriut përgjatë Oqeanit Atlantik. Gara do të përfundojë në Marrakesh.
Drejtori i Dakarit, David Castera, deklaroi se pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, organizatorët kanë përgatitur një itinerar që ruan standardet e larta dhe sfidat tradicionale të kësaj gare.
Vendimi për zhvendosjen erdhi pas shqetësimeve të sigurisë në Arabinë Saudite, ndërsa Maroku u konsiderua alternativa më e përshtatshme falë terrenit dhe përvojës në organizimin e garave rally-raid.
Me këtë ndryshim, Dakar do të zhvillohet jashtë Azisë për herë të parë që nga viti 2020, kur gara u zhvendos në Arabinë Saudite.



