Largimi i brazilianit Neymar nga PSG nuk ishte i lehtë, praktikisht siç ndodh shpesh me yjet që largohen nga Parisi, i fundit rasti i Kylian Mbappe.
Pjesa më e madhe e tyre pasi janë larguar kanë shpërthyer në akuza, apo kanë shfaqur pakënaqësi për mënyrën se si i kanë trajtuar.
Sulmuesi brazilian zgjodhi Arabinë Saudite për të vijuar karrierën, por në një intervistë për RMC Sport, Neymar u kthye pas në kohë, duke treguar arsyet e vërteta pse vendosi të largohet nga Parisi.

“Viti i parë ishte i jashtëzakonshëm. U prita shumë mirë nga tifozët, nga klubi dhe nga i gjithë ambienti në Francë. 2-3 vitet e fundit situata ndryshoi shumë, nuk u trajtova aspak mirë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Messin. Më vjen keq, sepse unë kam dhënë gjithçka në fushë. Tifozët kaluan çdo limit, ata vinin në shtëpinë time, përpiqeshin të futeshin në shtëpi, më ofendonin, tentonin të më godisnin. Ata i kaluan të gjitha limitet. Që nga ai moment vendosa që edhe unë të mos i respektoja”, u shpreh Neymar.
Në intervistën e tij për RMC Sport, Neymar shtoi se tani PSG i përket të kaluarës pasi është i lumtur në Arabinë Saudite.



