Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rënies nga liga pas humbjes të skuadrës së tij, këtë herë në shtëpi kundër Newcastle United me rezultat 0-2.
Mbrëmë, United pësoi humbjen e katërt radhazi, dhe të tretën në Ligën Premiere, duke e lënë skuadrën të “ngecur” në vendin e 14-të të tabelës me vetëm shtatë pikë mbi zonën e rënies.
Trajneri i ri i skuadrës Ruben Amorim, i cili nuk arriti të ringjallte skuadrën pas shkarkimit të Erik ten Hag, mori pyetjen më tronditëse në konferencën për shtyp, e cila ka të bëjë me rënien e mundshme nga kategoria.
Portugezi thekson se liga është shumë e vështirë dhe se duhet të jesh i sinqertë me tifozët.
“Jam vërtet i shqetësuar. Nëse shikoni ligën, është vërtet e vështirë dhe çdo ekip ka një shans për të fituar. Ne duhet të jemi vërtet të sinqertë me tifozët tanë dhe veçanërisht me lojtarët. Ne do të luftojmë për jetën tonë , duhet të vazhdojmë”, ka thënë fillimisht Amorim.

“Një moment vërtet i vështirë, një nga më të vështirat në historinë e Manchester United. Ne humbëm përsëri në shtëpi dhe ky është një fakt. Duhet të vazhdojmë të besojmë dhe të punojmë dhe kjo është e vetmja mënyrë për të dalë”, përfundoi portugezi.
Amorim pranoi se sistemi i tij me tre mbrojtës nuk po funksionon, veçanërisht pasi United pësoi dy gola identikë kundër Newcastle mbrëmë.



