Ky sezon i Premier League po “vishet” me të kuqe, me Liverpool që ka një ritëm krejtësisht ndryshe nga ekipet e tjera.
Arsenal duket ekipi i vetëm që mund t’i rivalizojë, por dhe “topçinjtë” vijojnë sezonin me ulje ngritje të forta. Ndryshe nga vitet e fundit, Liverpool po përfiton në maksimum nga kriza e thellë që ka mbërthyer Manchester City, aktualisht ndodhen plus 12 pikë në raport me ekipin e Guardiolas, por kanë dhe një ndeshje më shumë në dispozicion.
Aktualisht, Liverpool shihet nga të gjithë si favoriti kryesor për të triumfuar në ishull, por Mohamed Salah nuk e bën gjumin i qetë, i vetëdijshëm se City mund të rikthehet fuqishëm.

“Në fakt jam i befasuar nga Man.City, por deri diku edhe i kuptoj. Është gjithnjë i njëjti trajner, të njëjtët lojtarë. Kanë pasur edhe dëmtime, kjo nuk mund të injorohet, por jam i sigurt se ata do të rikthehen shumë shpejt në nivelin e tyre. Neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të fitojmë ndeshjet tona, pasi jam i bindur se kur City të gjejë rrugën e duhur nuk do të ndalet më”, u shpreh Salah për Canal+.
Ndër të tjera, ylli i Liverpool konfirmoi sërish se nuk ka asnjë të re në lidhje me të ardhmen e tij, deri në këtë pikë largimi i tij në fund të këtij sezoni duket i sigurt.



