Një lajm shumë i rëndësishëm vjen nga Franca. Didier Deschamps nuk do të rinovojë kontratën e tij dhe do të largohet nga posti i trajnerit të Kombëtares franceze pas Kupës së Botës 2026.
Edhe nëse do të triumfojë në këtë garë, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, ai nuk do të vazhdojë rrugëtimin e nisur në vitin 2012, kur mori vendin e Laurent Blanc pas Kampionatit Evropian.
Sipas informacioneve të publikuara nga L’Équipe, ish-mesfushori do ta njoftojë vendimin e tij nesër, në një intervistë që do të transmetohet në edicionin e lajmeve të orës 13:00 në TF1.
Deschamps, 56 vjeç, e kishte kuptuar disa muaj më parë se ka ardhur momenti për të mbyllur këtë eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është i bindur se tani është koha e duhur për ta zyrtarizuar.

Ai dëshiron gjithashtu t’u japë fund spekulimeve për të ardhmen e tij dhe të përqendrohet qetësisht te dy sfidat që presin “Les Bleus”, Liga e Kombeve këtë vit dhe, mbi të gjitha, Kupa e Botës.
Kujtojmë që Franca, nën drejtimin e Deschamps, u shpall kampione e botës në vitin 2018 dhe nënkampione në vitin 2022, si dhe arriti vendin e dytë në EURO 2016.



