Një tjetër sulmues shqiptar mund të bëhet pjesë e Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit.
Mediat gjermane dhe ato italiane bëjnë të ditur se klubi i Monzas ka piketuar si përforcim për repartin e avancuar Mërgim Berishën.
Futbollisti 26-vjeçar i cili përfaqëson Gjermaninë në arenën ndërkombëtare, është në pronësi të Hoffenheim, por nuk po aktivizohet rregullisht me këtë skuadër si pasojë e telasheve me dëmtimet që ka kaluar në vitet e fundit.
Monza është gati t’i ofrojë atij mundësinë të tregojë talentin në elitën e futbollit italian dhe sipas “Sky Deutchland”, kontaktet mes palëve kanë nisur në këto ditë.
Megjithatë, Berisha ka oferta edhe nga klube të tjera në Gjermani dhe po shqyrton mundësitë që i vihen përpara. Formula e transferimit është ajo e huazimit me të drejtë blerje për lojtarin, i cili ka luajtur dy ndeshje miqësore me Përfaqësuesen A të Gjermanisë.



