Cristiano Ronaldo, pas një karriere legjendare në Evropë, prej dy vitesh po kalon pjesën më të madhe të jetës së tij në Arabinë Saudite, duke luajtur për Al Nassr.
40-vjeçari (do t’i mbushë më 5 shkurt) sapo ka shënuar golin e tij të 923-të, duke luajtur nën drejtimin e Stefano Piolit.
Ai ka dhënë një intervistë për “Los amigos de Edu” në “La Sexta”.
Së pari foli për eksperiencën e tij në Arabinë Saudite dhe në “Saudi Pro League”, pasi la pas Evropën e dashur.
“Më pëlqen shumë kjo përvojë. Ndihem shumë mirë këtu me familjen time. Jam një person që i pëlqejnë sfidat dhe gjërat e reja. Objektivat e mëdha nuk më trembin, edhe eksperienca e ardhjes në Arabinë Saudite nuk më ka bërë të shqetësohem. E dija si ishte liga këtu falë shumë portugezëve që kishin luajtur më parë”, është shprehur ylli portugez.

Sa i përket famës së tij të jashtëzakonshme, CR7 u shpreh: “Kur dëgjoj një kritikë, edhe nëse ka 100 komente pozitive dhe vetëm një negativ, unë përqendrohem tek ai negativi. Nuk është faji im që jam më i famshmi, kjo është pjesë e jetës sime. Nuk besoj se fama ime do të zhduket apo që një ditë askush nuk do të më njohë. Kjo është diçka e pamundur. Jam i lumtur me gjithçka që më ka ndodhur. Unë shoh çfarë është e mundur të bëhet”.
I lodhur nga kaq shumë gola? Përgjigjja e tij është tipike e CR7: “Njerëzit janë pak të fiksuar me 1000 golat, edhe pse e di që është faji im. Sidoqoftë, ata nuk e vlerësojnë momentin tim aktual. Nuk më pëlqen që flitet kaq shumë për këtë, gjërat duhet të ndodhin natyrshëm. Lojtari më i mirë i historisë jam unë. Numrat janë aty”.



