Futbolli është kthyer në një punë tepër të lodhshme edhe pse mjaft të paguar, dhe i lënduari i radhës është Mirlind Daku.
Siç njoftojnë mediat ruse dhe ato nga Kazani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare u detyrua të dilte nga fusha në minutat e fundit të ndeshjes përgatitore që Rubini e luajti në Antalia ndaj ekipit nga Azerbajxhani, Nefçi Baku.
Azerët fituan 1-0, por rezultati nuk pati shumë rëndësi sepse vazhdon faza stërvitore dimërore, ndërsa shqetësimi më i madh është për Dakun.
Trajneri Rahimov ka deklaruar se lojtari ka ndrydhur kyçin e këmbës, pra kaviljen, dhe se shkalla e dëmtimit do të mësohet pas vizitave mjekësore.
Këto kohë ka pasur disa lëndime të futbollistëve kuqezinj si Ismajli apo Hysaj, e më pak Mitaj e Gjimshiti. Shpresohet që Daku të mos ketë probleme serioze dhe të kthehet sa më parë në fushë.

Lloji i dëmtimit vështirë se mund ta mbajë gjatë jashtë fushe, pra ai mund të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares në 10-ditëshin e fundit të marsit për eliminatoret e Kupës së Botës.
Po ashtu, shpresohet të jetë në gjendje të rinisë Premier Ligën ruse me Rubinin, me ndeshjen e parë në 1 mars në Grozni. Daku është sulmuesi më I mirë I ekipit me 9 gola e 5 asistë, I treti realizues më i mirë i kampionatit.



