Pavarësisht aventurës së tij në Arabinë Saudite dhe eksperiencës së re larg qendrës së vëmendjes në futbollin evropian, askush nuk dyshon në aftësitë e tij. Braziliani Neymar ishte një nga ata të përzgjedhur që ishin thirrur të “ulen në të njëjtën tryezë” me Lionel Messin e Cristiano Ronaldon për nga talenti dhe cilësia.
Për shumë njerëz, Neymar e humbi mundësinë për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë në botë, ndoshta edhe i historisë.
“Princi që nuk donte të bëhej mbret…”; një teori që është përhapur si rrufe qysh nga transferimi i tij te PSG dhe për të cilën youtuberi The Grefg e pyeti brazilianin.
“Nuk është se nuk doja të isha mbret, por për mua mbret i futbollit është vetëm një dhe ai është Pele. Ndodhën shumë gjëra, pata shumë dëmtime që më kushtuan shumë në karrierë, ndoshta Zoti e deshi kështu. Nuk kam arsye të jem i trishtuar, përkundrazi”, shpjegoi Neymar.

Braziliani u shpreh mirënjohës për gjithçka ka arritur në karrierë dhe jetë.
“Jam shumë i lumtur me karrierën dhe jetën time. Gjithçka që ëndërrova e realizova, pothuajse gjithçka, madje arrita edhe gjëra që as nuk i kisha ëndërruar. Jam shumë mirënjohës ndaj Zotit që më ndryshoi jetën, atë të familjes sime dhe të miqve të mi. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, tha mes tjerash Neymar.



