Ronaldo shmang 100 goditje me kamxhik
R

Ronaldo shmang 100 goditje me kamxhik

Besimi është i mirë, por nuk i dihet kurrë dhe më mirë të mos rrezikosh një dënim prej 100 goditjeve me kamxhik. Këtë duhet ta ketë menduar edhe Cristiano Ronaldo, i cili ka vendosur të mos udhëtojë me Al Nassr për në Iran për ndeshjen e AFC Champions League kundër Esteghlal.

Gjithçka filloi në nëntor të vitit 2023, kur Al Nassr udhëtoi për në Teheran për t’u përballur me Persepolis. Asokohe, një turmë e madhe tifozësh pushtoi hotelin ku qëndronte skuadra saudite, me shpresën për të takuar CR7, për një selfie apo autograf.

Edhe pse Ronaldo nuk kaloi shumë kohë me fansat, ai ndaloi për të përqafuar dhe për të dhënë një puthje në ballë artistes me aftësi të kufizuara Fatemeh Hammami Nasrabadi, e cila është e njohur për pikturat e saj të realizuara me këmbë.

Por sipas ligjeve iraniane, një gjest i tillë me një grua që nuk është bashkëshortja jote konsiderohet tradhti bashkëshortore, dhe si ndëshkim parashikohen 100 goditje me kamxhik.

Me afrimin e ndeshjes së sotme, çështja e vitit 2023 është rikthyer në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale dhe mediet iraniane. Për këtë arsye, Al Nassr kërkoi nga Esteghlal që ndeshja të luhej në një terren neutral për të shmangur çdo rrezik për Ronaldon, por kërkesa u refuzua.

Megjithatë, nga Irani u dhanë garanci se ishin marrë masa për të siguruar një qëndrim të rehatshëm në Teheran për Al Nassr dhe Cristiano Ronaldon.

Gjithsesi, Ronaldo nuk është ndier i sigurt dhe ka vendosur të mos udhëtojë me skuadrën. Vendimi është marrë me miratimin e trajnerit Stefano Pioli, i cili nuk e ka përfshirë portugezin në listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë ndeshje.

TË FUNDIT