Mirlind Daku ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Rubin Kazanit, ku ka prekur tema të ndryshme. Nga tatuazhi për transferimin në Rusi, oferta e Rubinit dhe ëndrra Botëror me Shqipërinë, Daku i thotë të gjitha.
“Tatuazhi shkruan ‘pa rrezik, nuk ka histori’. Do të thotë se nëse dëshiron të bësh diçka, duhet të rrezikosh dhe që pa rrezikim, nuk do të ketë tregim. Ia vlen të rrezikosh për një tregim interesant. Ky tatuazh është përshkrim i transferimit tim te Rubini. Nëse qëndron ulur dhe pret që diçka të ndodhë, atëherë zgjohu dhe bëj diçka për atë. Kërko mundësitë tua”.
Më pas ai ka folur për transferimin te Rubin Kazan.
“Kalimi te Rubini ishte një prej vendimeve të mia më të mira në karrierë. U jam mirënjohës presidentit, drejtorit sportiv dhe të gjithëve në klub”.
Dhe në fund për ëndrrën e tij, kualifikimin me Shqipërinë në Kupën e Botës.
“Shqipëria? Nëse kualifikohemi në Botëror, do të jetë ndjenja më e mirë në karrierën time në futboll. Jo të gjithë lojtarët e kanë mundësinë të luajnë në Kampionat Botëror. Nëse e arrijmë këtë, do të jetë tregim i paharrueshëm për mua”, deklaroi Daku.



