Me dy ndeshje që zhvillohen sot nis java e 24-t e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Vëmendja kryesore është në Gjilan ku dy ekipet e para në tabelë, Drita dhe Ballkani do të përballen me njëra-tjetrën në stadiumin me bari sintetik.
Duke marrë parasysh se Drita me 50 pikë të grumbulluara ka një diferencë prej 12 pikësh me Ballkanin që numëron 38 sosh, do të jetë një derbi tejet interesant që mund t’i japë vulë kampionatit.
Për këtë arsye, mysafirët do të synojnë fitoren për të vazhduar të shpresojnë që ta mbrojnë titullin kampion, teksa vendasit për të ‘blinduar’ pozitën e parë në renditje.
Ndeshja tjetër është ajo mes Ferizajt dhe Llapit që po ashtu premton një ‘luftë’ në fushë mes të dy ekipeve.
Kjo, pasi diferenca e pikëve mes të dyjave është vetëm tri pikë, me Ferizajn që mban aktualisht pozitën e gjashtë në tabelë me 29 pikë të grumbulluara, teksa Llapi renditet në të nëntin me 26 sosh.
Që të dy këto ekipe vijnë pas fitoreve ndaj Suharekës dhe Dritës respektivisht, andaj do të synojnë ta vazhdojnë këtë ritëm.
Të dy këto ndeshje pritet të nisin nga ora 14:00.



