Kampionati për garat e rregullta në basketbollin e Kosovës po shkon drejt fundit, ku çdo përballje është shumë e rëndësishme dhe interesante.
Kështu pritet të jenë edhe ndeshjet e javës së 24-t që zhvillohen në këtë fundjavë.
Trepça-Vëllaznimi është një përballje interesante, me të dy skuadrat që synojnë të renditen sa më lart në renditje para garave të “Play-off”-it. Mitrovicasit janë në pozitën e dytë së bashku me Sigal Prishtinën, me 15 fitore e tetë humbje, derisa kuqezinjtë në vendin e pestë me 11 fitore e 12 humbje.
Të shtunën zhvillohet derbi i qytetit mes Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit. Dy skuadrat janë në formë në ndryshme. Bashkimi është në vendin e parë me 16 fitore e shtatë humbje, ndërsa Proton Cable Prizreni në vendin e fundit me pesë fitore e 18 humbje.
Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli është po ashtu një sfidë interesante. Prishtinasit kanë nëntë fitore radhazi në elitë në vitin 2025, derisa deri më tani kanë 15 fitore e tetë humbje, kurse therandasit kanë dhjetë fitore e 13 humbje, në vendin e gjashtë.
Peja-Bora është po ashtu një duel, ku të dy skuadrat luftojnë për fitore. Verdhezinjtë janë në vendin e katërt me 12 fitore e 11 humbje, ndërsa prishtinasit në vendin e shtatë me tetë fitore e 15 humbje.



