Ednaldo Rodrigues është rizgjedhur president i CBF-së, Konfederata e Futbollit të Brazilit, deri në vitin 2030. 71-vjeçari u votua nga 26 klube të serive A dhe B të futbollit brazilian dhe nga të 27 federatat shtetërore që përbëjnë CBF-në. Lajmi është bërë i ditur nga mediat kryesore braziliane.
Mandati i ri është 5-vjeçar dhe Rodrigues, i cili drejton CBF-në që nga viti 2021, ishte i vetmi kandidat pas tërheqjes së Ronaldos për shkak të mungesës së mbështetjes, e cila u njoftua më 12 mars në profilin e tij në Instagram.
Zgjedhjet u zhvilluan në selinë e CBF-së në Rio de Janeiro dhe e vetmja listë, e kryesuar nga Rodrigues dhe e quajtur “Për një futboll më gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim të çdo natyre”, zgjodhi gjithashtu 8 nënkryetarë.

Gjatë drejtimit të Rodrigues, kombëtarja braziliane ka regjistruar 25 fitore, 12 barazime dhe 7 humbje me 4 trajnerë të ndryshëm: Tite, Ramon Menezes, Fernando Diniz dhe Dorival Junior.



