Portieri shqiptar nën pronësi të Borussia Dortmundit, Diant Ramaj, ka pranuar interesimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për t’i bashkuar Përfaqësueses dardane, por interesimi i tij vazhdon të mbetet përfaqësimi i Gjermanisë.
I blerë nga Dortmundi dhe i huazuar menjëherë gjatë afatit kalimtar të janarit, Ramaj aktualisht po luan në veri të Danimarkës, te Copenhagen.
23-vjeçari i lindur në Shtutgart, me prejardhje nga Kosova, ka folur për të ardhmen e tij në një intervistë për ‘Sport Bild’.
Djaloshi me prindër nga Kosova dikur konsiderohej si një nga portierët më perspektivë gjatë kohës së tij me Eintracht Frankfurti, por ftesa nga Kombëtarja e Gjermanisë nuk po vjen, edhe pse Ramaj vazhdon ta presë.
“Unë qëndroj në kontakt me ish-trajnerin e portierëve Manuel Schneider. Nuk kam dëgjuar kurrë asgjë nga ekipi i parë. Unë ende e di se, nëse tregoj aftësitë e mia, do të jetë e vështirë të më mbajnë jashtë radarit”, ka thënë fillimisht Ramaj.
“Ndryshimi i madh i brezit nuk është domosdoshmërisht një disavantazh për mua”.
Ramaj u pyet gjithashtu për Përfaqësuesen e Kosovës, ku konfirmoi interesimin e FFK-së, por jo gatishmërinë për t’iu bashkuar Dardanëve.
“Ka pasur disa kontakte. Jo me mua personalisht, por me disa të njohurit e mi. Interesimi është shumë i fortë, por dua të përpiqem për më të mirën në karrierën time”, përfundoi portieri.



