Në një intervistë për “L’Equipe”, drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseur, u rikthye të komentojë garën zhgënjyese në Kinë.
Gëzimi i fitores së Sprintit në Shangai nga Lewis Hamilton u venit shpejt me paraqitjen e dobët në Çmimin e Madh, për t’u mbyllur me penalizimin e dyfishtë të makinave SF-25.
Në analizën e tij Vasseur flet për këtë fillimsezoni që ka nisur me malore për “kokëkuqen” dhe që sheh menjëherë McLarenin të vendosë diktatin në pistë.

“Në profesionin tim është e rëndësishme të vlerësoj sa më mirë aspektet pozitive dhe negative për t’u përmirësuar. Gjëra pozitive dhe negative ka në çdo garë, por ajo në Kinë ishte një fundjave me ekstreme për ne. Fatkeqësisht në memorie mbeten gjithmonë episodet më të fundit. U kthyem pak të frustruar nga Shangai, sepse ishim të bindur se kishim bërë një hap përpara në krahasim me Australinë. Në fund, pikët ishin më pak nga sa i parashikonim, por jemi të bindur se ndodhemi në rrugën e duhur”, deklaroi Vasseur.



