Suzuka, pista “e mallkuar” për Ferrarin
S

Suzuka, pista “e mallkuar” për Ferrarin

Botërori i Formula 1 ka nisur shumë larg pritshmërive për Ferrarin, teksa një sukses i vetëm nga Lewis Hamilton në garën Sprint në Kinës është shumë pak për skuadrën nga Maranelo.

Ky rezultat u pasua nga zhgënjimi në Çmimin e Madh të një dite më vonë si dhe skualifikimi i dyfishtë i makinave SF25. Tashmë në Maranelo reagimi bëhet detyrim që këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Japonisë.

Por Suzuka nuk është pista më e favorshme për Ferrarin, përkundrazi bëhet fjalë për një cirkuit ku për të gjetur fitoren e fundit të skuadrës italiane duhet të kthehemi në vitin 2004.

Pra kanë kaluar më shumë se 20 vite që Ferrari nuk triumfon në Japoni, ndërsa në sezonin e kaluar regjistroi një vend të tretë me Carlos Sainz, rezultat që e ka arritur edhe Leclerc në vitin 2022.

Që prej suksesit të Michael Schumacherit në 2004-ën, Ferrari nuk ka arritur të ngjitet më asnjëherë në shkallën më të lartë të podiumit në Japoni. Në atë kohë, Schumi dhe “kokëkuqja” ishin dominuesit absolutë të Formulës 1.

I nisur nga “pole position” piloti legjendar gjerman vendosi ritmin menjëherë, duke dominuar në garë, ku rivali i vetëm në Suzuka atë ditë ishte vëllai i tij, Ralph Schumacher me makinën Williams, i renditur i dyti.

Tashmë në Maranelo reagimi nuk është më fakultativ nëse synohet një sezon konkurrues. Ferrarit nuk i lejohen hapa të tjerë fals, duke parë makinat McLaren që po shkëputen. Të gjithë në skuadrën italiane shpresojnë që Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc të thyejnë “mallkimin” e Suzukas.

TË FUNDIT