Vendi i dhjetë në Australi, fitore në Sprintin e Kinës dhe i skualifikuar një ditë më vonë Shangai në Çmimin e Madh janë rezultate që nuk i justifikojnë pritshmëritë e nisjes së sezonit nga Lewis Hamilton me Ferrarin.
Britaniku renditet i nënti në Kampionatin Botëror me 9 pikë të grumbulluara, 35 pikë më pak nga lideri i kampionatit, Lando Norris. Në prag të ndalesës së tretë sezonale, këtë fundjavë në Japoni, Hamilton ka folur për fillimsezonin e tij me Ferrarin, si dhe për pritshmëritë në Suzuka.
“Nuk ndjeva ndonjë zhgënjim për skualifikimin në Shangai, pasi janë gjëra që ndodhin”, ishin fjalët e para të shtatë herë kampionit të Botës gjatë konferencës për shtyp. “Sigurisht, ne kemi ecur përpara, duke pranuar ulje-ngritjet e sezonit dhe jemi përpjekur të sigurohemi që gjithçka të shkojë mirë si ekip”, deklaroi Hamilton, duke iu referuar vendimit të FIA-s për makinën e tij në fund të garës kineze.

Shtatë herë kampioni i botës u shfaq optimist për sezonin. “Sinqerisht jam mjaft i kënaqur me mënyrën se si po përshtatem dhe mendoj se po bëjmë mirë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të punojmë shumë, sepse jam i bindur se kemi potencial për të luftuar për vendet e kreut edhe këtë fundjavë në Japoni”, deklaroi piloti 40- vjeçari i “kokëkuqes”, teksa më tej ka shtuar fjalë të tjera.
“Kam dëgjuar sikur po humbas besimin te skuadra, por ky është absurditet i plotë. Unë kam besim absolut te kjo skuadër”, tha Hamilton, duke iu referuar disa opinioneve televizive pas dështimit në Kinë.



