Valentino Rossi dhe “plaga” që nuk iu shërua kurrë
V

Valentino Rossi dhe “plaga” që nuk iu shërua kurrë

Në vitin 2015, italiani Valentino Rossi ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij, të arrinte shifrën e rrumbullakët me dhjetë tituj.

Por gjithçka ndryshoi në mënyrë dramatike në garën e Sepangut, ku një incident i diskutueshëm me Marc Márquez e la spanjollin në asfalt.

Rossi u ndëshkua për këtë veprim dhe sanksioni u tërhoq deri në garën e fundit të sezonit në Valencia, duke i humbur atij shansin e artë për titull. Për ironi të fatit, ishte pikërisht shoku i tij i skuadrës te Yamaha dhe rivali i përjetshëm, Jorge Lorenzo, që përfitoi dhe u shpall kampion.

Ishte ajo gara e fundit ku “Il Dottore” u afrua me të vërtetë te titulli, dhe pikërisht kjo e bën humbjen edhe më të dhimbshme.

Që atëherë, lufta e ftohtë mes Rossit dhe Márquez nuk ka pushuar. Në Çmimin e Madh të Argjentinës, në vitin 2018, dy pilotët u përplasën sërish në pistë, këtë herë ishte Márquez ai që me një manovër të rrezikshme bëri që Rossi të rrëzohej.

Gjestet dhe deklaratat mes tyre nuk munguan as atëherë, e as në vitet që pasuan. Marrëdhënia që dikur dukej si miqësi u thye përfundimisht.

Edhe pse Valentino Rossi është larguar nga MotoGP që në fund të vitit 2021, marrëdhënia me Márquezin mbetet e akullt. Në publik, ekziston një lloj formaliteti mes tyre, por në çdo intervistë, italiani nuk nguron të akuzojë rivalin e tij për “sabotim” në vitin 2015, madje e ka quajtur edhe si një pilot të rrezikshëm.

Ndërkohë, Márquez ka zgjedhur të mos reagojë dhe të fokusohet vetëm në garat e radhës.

Plaga e titullit të dhjetë vazhdon të dhemb dhe për Rossin, ajo dhimbje nuk është shuar ende.

 

 

 

 

 

TË FUNDIT