Kampionati i Kosovës në automobilizëm nis në këtë fundjavë me garën në disiplinën auto sllallom, e cila mbahet në Ferizaj.
Kryetari i Auto Klubit Ferizaj, Sadat Rysha, është shumë optimist se gara do të jetë spektakël i vërtetë.
“Besoj që do të jetë garë shumë e mirë, qoftë në aspektin organizativ, qoftë në atë garues. Jemi duke punuar me përkushtim që gjithçka të shkojë si duhet, ndërsa kemi edhe mbështetje të mjaftueshme nga Kuvendi Komunal i Ferizajt dhe sponsorë të tjerë, të cilët i falënderojmë shumë”, ka thënë Rysha për AutoPortali.com.
Ai nuk ka dyshim që numri i pjesëmarrësve do të jetë i kënaqshëm, ashtu sigur edhe rivaliteti në shteg.

“Do të ketë numër të kënaqshëm të garuesve dhe për këtë nuk kemi asnjë dyshim. Sigurisht që edhe rivaliteti nuk do të mungojë, pasi garuesit do të japin maksimumin për të nisur kampionatin sa më mirë”, ka shtuar Rysha.
Gara në Ferizaj sivjet do të ketë risi në shteg.
“Shtegu do të jetë më ndryshe në krahasim me të kaluarën. Garuesit do të shkojnë të hyjnë në nënkalimin e ri dhe aty do ta bëjnë rrethin që e shton atraktivitetin e garës”, është shprehur kryetari i AK Ferizajt, Sadat Rysha.



