Hamilton vazhdon të vuajë dështimin e radhës
H

Hamilton vazhdon të vuajë dështimin e radhës

Kampioni i shtatëfishtë botëror në Formula 1, Lewis Hamilton, nuk po arrin të pajtohet me faktin që aventura e tij te Ferrari nuk ka nisur aspak mirë dhe kjo u vërtetua edhe me garën e fundjavës që shkoi, e cila u mbajt në Jeddah të Arabisë Saudite.

Hamilton e nisi dhe e përfundoi garën në vendin e shtatë, me një diferencë prej 30 sekondash nga shoku i skuadrës, Charles Leclerc, i cili përfundoi i treti, pas fituesit Oscar Piastri nga McLaren dhe të dytit Max Verstappen nga Red Bull.

“Nuk mund të nxjerr asgjë pozitive, përveç faktit që Charles përfundoi në podium, që është e mrekullueshme për ekipin. Ishte e tmerrshme, aspak e këndshme. Thjesht rrëshqisja kudo. Nuk kishte fare kapje me pistën, pas ndërrimit të dytë të gomave kishte një balancë pak më të mirë, por prapëseprapë mungonte ritmi. Shumë keq,” tha Hamilton, sipas Sky Sports.

Që kur fitoi në garën sprint në Kinë muajin e kaluar, Hamilton nuk ka arritur të jetë më i shpejtë se shoku i skuadrës në kualifikimet e Japonisë, Bahreinit dhe Arabisë Saudite.

I pyetur për rënien në formë pas garës në Kinë, Hamilton u përgjigj: “Nuk kam përgjigje.”

“Për momentin nuk ka zgjidhje. Dhe kështu do të jetë deri në fund të vitit. Do të jetë e dhimbshme,” shtoi Hamilton, rekordmen për numrin e fitoreve – 105 dhe pole position – 104 në Formula 1.

Sivjet, pas 12 vitesh te Mercedes, Hamilton kaloi te Ferrari dhe duhet të mësohet me një makinë të re dhe stil të ndryshëm ngarjeje.

“Leclerc e ka drejtuar këtë makinë për një kohë të gjatë dhe padyshim që e njeh shumë mirë. Ka shumë të dhëna, sigurisht. Nga të dhënat nuk duket shumë ndryshe, thjesht unë hyj më ngadalë në kthesa. Kemi pak konfigurime të ndryshme. Duhet të shoh nëse ky konfigurim i përshtatet makinës. Leclerc dhe skuadra e tij qartazi po bëjnë një punë më të mirë. Në kualifikime nxora gjithçka nga makina, në garë provova gjithçka, por makina thjesht nuk donte të shkonte më shpejt,” tha Hamilton.

Kampionati i Formula 1 vazhdon më 4 maj me Çmimin e Madh të Miamit.

 

TË FUNDIT