Marquerz e Bagnaia shkojnë për “pokerin” në Spanjë
M

Marquerz e Bagnaia shkojnë për “pokerin” në Spanjë

Botërori 2025 i Moto GP do të zbarkojë në Evropë për eventin e parë sezonal, pas katër garave të mbajtura Tajlandë, Argjentinë, SHBA dhe Katar.

Këtë fundjavë në Herez do të zhvillohet Çmimi i Madh i Spanjës, që do të hapë edhe serinë e 12 eventeve radhazi në Evropë, të cilat do të mbyllen në Mizano në fund të verës.

Një kampionat që ka nisur nën diktatin e Marc Marquez, ndërsa Francesco Bagnaia është i thirrur menjëherë në apel për të frenuar vrullin e shokut të skuadrës te Dukati. Nuk mund të kishte një vend më të përshtatshëm dhe më të favorshëm për italianin se pista në Herez de la Frontera. Peko është i pamposhtur në shtëpinë e “armikut” të tij që prej vitit 2022. Piloti italian numëron tri fitore radhazi në cirkuitin andaluzian, shifër e barabartë me rivalin e tij të drejtpërdrejtë, që i ka arritur mes viteve 2014 dhe 2019.

Çuditërisht, as Bagnaia dhe as Marquez nuk janë ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në Moto2 dhe Moto3. Pa harruar se, duke lënë mënjanë sukseset në klasin kryesore, pista në Herez zgjon kujtime shumë të pakëndshme për “Kanibalin” spanjoll, i cili filloi kalvarin e tij të dëmtimeve pikërisht në korrik të 2020-tës, në fillimin e vonuar të Botërorit pas pandemisë, pesë vjet më parë. Duke u rikthyer në të tashmen, Marc përballet me garën e parë të sezonit europian pas një fillimi të jashtëzakonshëm të Botërorit.

Aventura e tij në ekipin e fabrikës Dukat ka nisur me 4 “pole position”, 3 fitore në katër Çmime të Mëdha dhe 4 triumfe në katër garat Sprint. Vetëm përplasja në Ostin e pengoi Marquezin të mbërrinte në Evropë i pamposhtur, duke lejuar Bagnaian të shënonte fitoren e tij të vetme në Teksas në këtë pjesë të parë të sezonit. Mes sfidës së dy pilotëve të Dukatit është natyrisht edhe Alex Marquez. Vëllai i vogël i Marquezit është ende në kërkim të fitores së parë në Moto GP, ndërsa pësoi vetëm një rënie të lehtë në formë në eventin e fundit në Katar.

Megjithatë Alex Marquez po zhvillon fillimin më të mirë të një sezoni që ka pasur ndonjëherë në Moto GP. Aleks po kalon një formë të shkëlqyer dhe futet në çdo fundjavë duke synuar fitoren.

Në Herez ai regjistron një fitore të Moto2 në vitin 2017. Alex Marquez është i dyti në renditjen e përgjithshme të pilotëve me 106 pikë, 17 pikë më pak se vëllai i tij më i madh dhe 9 më shumë se Bagnaia.

TË FUNDIT