Hysen Hyseni synon podiumin në garën e Ferizajt
H

Hysen Hyseni synon podiumin në garën e Ferizajt

Hysen Hyseni synon që edhe sivjet të jetë në mesin e garuesve më të suksesshëm në Kampionatin e Kosovës në automobilizëm.

Fituesi i “Helmetës së Artë” në vitin 2023 është gati për sfidat e reja, duke filluar me garën në disiplinën auto sllallom e cila të dielën mbahet në Ferizaj.

“Jam gati për kampionatin e ri dhe shpresoj që edhe sivjet të kem rezultate të mira. Të dielën do të garoj me veturën e garave (Peugeot 106) dhe shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë”, është shprehur Hyseni, për AutoPortali.com.

Anëtari i AK Ferizajt është optimist se gara në përgjithësi do të jetë e mirë.

“Ne si klub organizator besojmë që gara do të jetë e mirë si në aspektin organizativ, ashtu edhe në rrafshin sportiv. Presim numër të kënaqshëm të garuesve, por edhe të dashamirëve të auto sportit që do ta përcjellin garën”, ka shtuar Hyseni.

Pavarësisht se pret që rivaliteti të jetë i madh, ai beson që do të arrijë rezultat të kënaqshëm.

“Me siguri që do të ketë shumë garues dhe nuk do të jetë garë e lehtë, por unë synoj të jem në podiumin e fituesve”, është shprehur Hyseni, i cili do të garojë në Klasën 11, deri në 1400 ccm.

 

TË FUNDIT