Fanella e legjendarit Bryant shitet për shumën marramendëse
F

Fanella e legjendarit Bryant shitet për shumën marramendëse

Fanella e legjendës së basketbollit, Kobe Bryant, që e kishte veshur gjatë para-sezonit dhe debutimit në sezonin e rregullt, duke luajtur për Los Angeles Lakers, u shit të enjten për shtatë milionë dollarë në një ankand të mbajtur nga Sothebys në Nju Jork, njoftoi kjo shtëpi ankandesh.

Bashkë me fanellën ishin edhe fotografi nga shtatë ndeshje të sezonit të tij debutues në NBA, 1996/97, përfshirë ato nga debutimi i tij në para-sezon më 16 tetor dhe debutimi në sezonin e rregullt më 3 nëntor 1996, si dhe nga dita e tij për mediat në NBA.

Kjo është fanella e katërt më e shtrenjtë sportive e veshur ndonjëherë, pas fanellës së famshme “call shot” të Babe Ruthit (24 milionë dollarë), fanellës së Michael Jordanit nga finalet e NBA-së në vitin 1998 (10.1 milionë dollarë), dhe fanellës së Diego Maradonës nga Kupa e Botës 1986 që u shit për 9.3 milionë dollarë.

“Ndeshjet e para janë momente vërtet unike në karrierën e një sportisti. Ato shënojnë fillimin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm dhe për sportistë legjendarë si Kobe Bryant, kanë një domethënie edhe më të madhe sepse përfaqësojnë një moment unik në kohë që nuk mund të përsëritet kurrë”, tha Brahm Wachter nga Sothebys në një deklaratë për ESPN.

Kjo shitje ka tejkaluar shumën prej 5.85 milionë dollarësh që ishte paguar më parë për fanellën e firmosur dhe të veshur të Bryantit nga ndeshjet e sezonit 2007/08, kur ai ishte shpallur MVP.

Kobe Bryant, pesë herë kampion i NBA-së, humbi jetën në moshën 41-vjeçare në një aksident me helikopter në janar të vitit 2020, në të cilin humbi jetën edhe vajza e tij Gianna dhe shtatë persona të tjerë.

TË FUNDIT