Presidenti i FIA-s pralajmëron një ndryshim të rëndësishëm
P

Presidenti i FIA-s pralajmëron një ndryshim të rëndësishëm

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Mohammed Ben Sulayem, ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia për të ndryshuar rregullat disiplinore që lidhen me sharjet dhe kritikat publike, pas reagimeve të ashpra nga pilotët e Formula 1.

Sulayem përmes një postimi në Instagram, tha se pas “komenteve konstruktive” që ka marrë nga pilotë të ndryshëm të garave që zhvillohen nën ombrellën e FIA-s, po shqyrtohen ndryshimet në dokumentin që përcakton dënimet për një gamë të gjerë shkeljesh – nga dhuna fizike dhe deklaratat politike, te sharjet dhe komentet që mund të shkaktojnë “dëme morale ose humbje reputacioni” për FIA-n.

FIA vitin e kaluar e ashpërsoi politikën ndëshkuese ndaj sharjeve, duke njoftuar se nga viti 2025, pilotët që shkelin rregullat në mënyrë të përsëritur do të ndëshkohen me gjoba më të larta ose me pezullim.

Kjo nismë u përball me kundërshtime nga pilotët.

Max Verstappen dhe Charles Leclerc u ndëshkuan vitin e kaluar për përdorimin e sharjeve, Leclerc me gjobë, ndërsa Verstappen me detyrim për të kryer punë në dobi të komunitetit.

Në Kampionatin Botëror të Rellit, pilotët muajin e kaluar bojkotuan intervistat televizive pasi njëri prej tyre u ndëshkua gjithashtu për sharje.

Pas garës së fundit të Formula 1 në Arabinë Saudite, Verstappen refuzoi të komentojë për dënimin që i kushtoi vendin e parë, duke sugjeruar se çdo kritikë mund të konsiderohet si shkelje e rregullave të FIA-s.

“E di që nuk më lejohet të shaj këtu, por duket se nuk na lejohet as të kritikojmë”, tha Verstappen në atë kohë.

Një shenjë e qasjes më fleksibile të FIA-s është fakti që piloti i Ferrarit, Carlos Sainz, nuk u ndëshkua për një sharje gjatë konferencës për shtyp, ndonëse protestoi për një dënim që kishte marrë për shkak të vonesës në intonimin e himnit kombëtar.

“Njerëzit krijojnë rregullat dhe njerëzit mund t’i përmirësojnë ato. Parimi i përmirësimit të vazhdueshëm është diçka në të cilën kam besuar gjithmonë dhe qëndron në zemër të gjithçkaje që bëjmë në FIA”, shkroi Mohammed Ben Sulayem.

TË FUNDIT