Pas situatës së pazakontë me Max Verstappen dhe Oliver Bearman në Çmimin e Madh të Australisë, FIA ka bërë ndryshime në rregullat e Formula 1.
Në Melburn, Bearman kishte një xhiro më pak kur në pistë doli makina e sigurisë. Sipas rregullave të atëhershme, ai kishte të drejtë të kalonte dhe të ribashkohej me fundin e kolonës përpara se të rifillonte gara.
Megjithatë, skuadra Haas vendosi ta thërrasë në bokse, dhe Bearman u rikthye në pistë përpara Verstappenit, i cili në atë moment ishte i treti, pas liderëve Lando Norris dhe Oscar Piastri.
Bearmanit më pas iu lejua sërish të kthehej në pozicionin e tij, por tashmë ai ndodhej mes pilotëve kryesorë.
Për shkak të kësaj situate, para garës në Majemimi, pesë gara më vonë, u ndryshua rregulli, konkretisht neni 55.14 i rregullores sportive.
Formulimi i ri, ku ndryshimet janë të theksuara, i jep drejtorit të garës, Rui Marques, autorizimin për të mbyllur daljen nga bokset ndërsa kalon kolona e udhëhequr nga makina e sigurisë, për të parandaluar që pilotët me një xhiro më pak të përfundojnë përpara atyre kryesorë.

Në rregullore tani shkruhet:
“Pasi të kenë kaluar makinat në pozita kryesuese dhe makinën e sigurisë, këto makina duhet të vazhdojnë ecjen në pistë me një shpejtësi të përshtatshme, pa parakaluar, dhe duhet të bëjnë çdo përpjekje për të zënë pozicionin në fund të kolonës pas makinës së sigurisë.
Ndërkohë që këto makina lëvizin në pistë për t’iu bashkuar kolonës, sipas vendimit ekskluziv të drejtorit të garës, dalja nga bokset mund të mbyllet në momentin kur makina e sigurisë dhe kolona e makinave që ndjekin atë i afrohen dhe kalojnë përpara daljes së bokseve”.



