Kampioni aktual në Formula 1, Max Verstappen, ka thënë se fakti që u bë baba në prag të garës nuk ka ndikuar në shpejtësinë e tij, pasi fitoi “pole position” për Çmimin e Madh të Miamit.
Holandezi, i cili synon titullin e pestë radhazi të kampionit botëror në Formula 1, ishte më i shpejti në kualifikime, përpara Lando Norris nga McLaren dhe Kimi Antonelli nga Mercedes, duke siguruar kështu “pole position”-in e tij të dytë për këtë sezon.
Verstappen mungoi në angazhimet me mediat të enjten, pasi mbërriti me vonesë në SHBA për të qëndruar pranë partneres së tij Kelly Piquet, pas lindjes së vajzës së tyre, Lili, në fillim të javës.
Gjatë mungesës së tij, disa pilotë u pyetën nëse mendonin që atësia mund të ndikonte në performancën e Verstappen-it, por shumica e tyre e hodhën poshtë këtë ide.
“Ishte bukur të kaloja disa ditë në shtëpi përpara se të vija këtu. Kur lind një fëmijë, dëshiron të sigurohesh që gjithçka është në rregull”, tha Verstappen pas kualifikimeve, sipas Sky Sports.

“Është e qartë që atësia nuk më ka ngadalësuar. Kjo është diçka pozitive. Mund ta hedhim poshtë edhe atë teori, për të gjithë ata që e përmendën. Jam vazhdimisht në kontakt me partneren gjatë ditës, dërgojmë fotografi… Tani kemi një anëtar të ri në familje,” shtoi ai.
Sidoqoftë, Verstappen garën në Majemi e përfundoi në pozitën e katërt.



