Piastri e vendos emrin e tij përkrah legjendarëve Prost, Hakkinen e Senna
P

Piastri e vendos emrin e tij përkrah legjendarëve Prost, Hakkinen e Senna

Oscar Piastri, piloti i McLarenit në Formula 1, ka arritur tri fitore radhazi në kampionat.

Piloti i McLarenit triumfoi në garën e së dielës për Çmimin e Madh të Majamit, duke shënuar kështu fitoren e tij të tretë radhazi për këtë sezon.

Pas kësaj gare, ai e ka shkruar emrin e tij në historinë e McLarenit dhe është vënë krah për krah me disa nga emrat më të mëdhenj në historinë e Formula 1.

Me fitoren e tretë radhazi, Piastri është bërë vetëm piloti i katërt në historinë e skuadrës që ka arritur një ecuri të tillë. Para tij, këtë sukses e kanë arritur vetëm Alain Prost, Ayrton Senna dhe Mika Hakkinen, ikona të këtij sporti dhe kampionë bote.

Në këtë grup të lavdishëm tani i bashkohet edhe emri i australianit të ri.

McLareni nuk kishte parë një vazhdimësi të tillë dominimi që nga viti 1998, kur Hakkinen ishte në formë kampioni. Më shumë se dy dekada më vonë, 23-vjeçari Piastri ka rikthyer shkëlqimin e së kaluarës së lavdishme të skuadrës.

Ai është treguar i ftohtë nën presion, i sigurt në duelet “rrotë më rrotë” dhe i përqendruar në kushte të ndryshueshme, një kombinim i rrallë që i ka sjellë fitore të njëpasnjëshme dhe një ritëm gjithnjë e më të fuqishëm.

Edhe më mbresëlënëse është fakti që kjo ecuri po ndodh në një nga sezonet më konkurruese të Formula 1 në vitet e fundit.

Me Red Bull dhe Mercedes që e ndjekin nga afër, si dhe shokun e skuadrës Lando Norris në formë të shkëlqyer, aftësia e Piastrit për të performuar nën presion flet shumë për mentalitetin e tij.

TË FUNDIT