FIA ka njoftuar se nuk do ta ndëshkojë McLaren pas garës për Çmimin e Madh të Miamit të dielën.
Sipas raporteve, pas një inspektimi të detajuar pas Çmimit të Madh të Majamit, FIA ka përfunduar se dizajni i frenave të pasme të McLaren-it është në përputhje me rregulloret.
Siç raporton “The Race”, organi përgjegjës për motorsportin ka kryer disa kontrolle, përfshirë edhe një inspektim të plotë, pas garës së mbajtur në Miami International Autodrome.
Është konstatuar se dizajni i frenave të pasme është plotësisht i ligjshëm, pavarësisht raportimeve se MCL39 kontrollon temperaturën e gomave të pasme në një “mënyrë të çuditshme”.
Rivalët e McLaren-it kanë shprehur dyshime lidhur me mënyrën se si ekipi nga Woking ftoh sipërfaqen e jashtme të daulleve të frenave të pasme, pasi nuk kanë mundur të përcaktojnë saktësisht se si realizohet kjo, çka ka ngritur pyetje nëse po shfrytëzohet ndonjë “zonë gri” në rregullore.
Besojhet se Red Bull-i ka siguruar imazhe termale përmes një pale të tretë dhe ia ka dorëzuar ato FIA-s, dhe në ato pamje pretendohet se janë parë zona të ftohta në daullet e frenave të pasme të McLaren-it.

“The Race” raporton se FIA ka inspektuar me imtësi të gjithë sistemin e frenimit të McLaren-it, përfshirë daullet dhe hapjet e ventilimit, dhe nuk ka gjetur asgjë që bie ndesh me rregullat.
Dokumenti zyrtar i FIA-s me rezultatet e këtij inspektimi ende nuk është publikuar, por pritet të jetë i disponueshëm përpara garës për Çmimin e Madh të Emilias Romagna.



