Ish-piloti spanjoll dhe dy herë kampion bote në rally, Carlos Sainz Sr., shihet si një kandidat serioz për postin e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), raportoi Sky.
63-vjeçari Sainz prej kohësh po përgatitet për zgjedhjet që do të mbahen në dhjetor dhe pritet të garojë kundër presidentit aktual, Mohammed Ben Sulayem.
Sainz thuhet se gëzon një mbështetje të gjerë nga drejtues të lartë të disiplinave të ndryshme të motorsportit që bien nën kompetencën e FIA-s. Kjo mbështetje e konsiderueshme mund ta bëjë atë një pretendent të fuqishëm në garën për drejtimin e organit më të lartë të automobilizmit ndërkombëtar.
Ai është gjithashtu babai i pilotit të Formula 1, Carlos Sainz Jr., i cili këtë sezon garon për ekipin Williams. Megjithatë, nuk pritet që prania e të birit në këtë sport të ngjallë shqetësime për ndonjë konflikt interesi.
Një zyrtar i lartë i një prej skuadrave kryesore të Formula 1 tha për Sky se profili etik dhe integriteti personal i Sainz-it është i padiskutueshëm dhe se ai duhet konsideruar si një kandidat shumë i besueshëm.
Ben Sulayem, i cili u zgjodh në krye të FIA-s në fund të vitit 2021, është përballur me kritika dhe përplasje të vazhdueshme me pilotë dhe zyrtarë të motorsportit, përfshirë edhe zëvendëspresidentin për sportin, Robert Reid, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar.

Carlos Sainz Sr. konsiderohet si një figurë e hapur për bashkëpunim me pilotët dhe si një lider i mundshëm që do të promovojë përfshirjen e tyre më të madhe në procesin vendimmarrës mbi rregullat sportive.
Zgjedhjet për presidentin e FIA-s do të mbahen më 12 dhjetor gjatë Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Uzbekistan.



