Kalenderi edhe sivjet pjesë e spektakleve të mëdha evropiane
K

Kalenderi edhe sivjet pjesë e spektakleve të mëdha evropiane

Liridon Kalenderi duket se është i lindur për sfida serioze.

Garuesi ynë, pas paraqitjeve fantastike që i pati në vitin e kaluar, duke triumfuar në Sternberk dhe Buzet, synon që edhe sivjet ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë.

Çekia, Zvicra, Kroacia e Sllovenia pritet të jenë destinacionet në të cilat Liri do ta sfidojë veten në vitin 2025.

“Për shkak të obligimeve në punë nuk po arrij t’i përkushtohem në tërësi automobilizmit, por gjithsesi edhe sivjet do të jem i pranishëm në disa gara”, ka thënë Kalenderi.

“Planifikoj të marrë pjesë në Sternberk të Çekisë (më 31 maj – 1 qershor), në St. Ursanne të Zvicrës (15-17 gusht), në Ilirska Bistricë të Sllovenisë (29-30 gusht) dhe në Buzet të Kroacisë më 19-21 shtator. Shpresoj të jem në këto katër gara, sidomos në Sternberk ku jam ftuar nga drejtori i garës, i cili ka shumë respekt për mua dhe vlerëson që pjesëmarrja ime është nder për organizatorin”, është shprehur më tej Kalenderi.

Ai është optimist që edhe sivjet do të arrijë rezultate të mira.

“E di që konkurrenca do të jetë shumë e fortë, por unë gjithmonë synoj të jem së paku në podium dhe kështu do të jetë edhe sivjet”, ka shtuar Liri.

Ai ka bërë të ditur se vetura e tij Mitsubishi Monster është po ajo e vitit të kaluar me disa përmirësime të lehta, ndërsa ka shtuar se mund të marrë pjesë edhe në ndonjë garë në Kosovë për të respektuar edhe dashamirët vendorë të automobilizmit.

 

 

 

TË FUNDIT