Kampioni aktual i MotoGP, Jorge Martin, ka bërë të ditur se do të largohet nga Aprilia në fund të sezonit.
Sipas Motorsport.com, Jorge Martin planifikon të shfrytëzojë një klauzolë në kontratën e tij me Aprilian dhe të largohet nga ekipi në fund të vitit 2025.
Sipas kësaj klauzole, Martin ka të drejtë të ndërpresë bashkëpunimin nëse pas Çmimit të Madh të Francës nuk është ndër pilotët kryesorë në kampionat, gjë që ndodhi si pasojë e një sërë dëmtimesh që e nxorën plotësisht jashtë gare në gjashtë garat e para.
Kjo situatë e papritur mund të shkaktojë një tronditje të fortë në tregun e pilotëve, veçanërisht sepse Martin ishte planifikuar të ishte piloti kyç i projektit të Aprilias në MotoGP.
Ai nuk iu afrua aspak mbrojtjes së titullit, pasi për shkak të lëndimeve nuk ka marrë asnjë pikë dhe aktualisht është i fundit në renditjen e përgjithshme.
Nga ana tjetër, Aprilia nuk dëshiron ta lëshojë pa luftë. Synimi i tyre është ta mbajnë kampionin dhe t’i japin mundësinë të tregojë veten në gjysmën e dytë të sezonit kur të jetë fizikisht gati, por janë të vetëdijshëm se klauzola kontraktuale praktikisht i jep Martin-it mundësinë të negociojë me ekipe të tjera.

Destinacioni më logjik, nëse Martin vendos përfundimisht të largohet, mund të jetë Honda.
Piloti i tyre, Luca Marini, ka kontratë deri në fund të vitit 2025, dhe Honda aktualisht nuk planifikon ndonjë lëvizje konkrete derisa Martin të zgjidhë marrëdhënien me Aprilian në mënyrë zyrtare.
Nëse Martin largohet, kjo mund të shkaktojë një valë ndryshimesh mes ekipeve dhe pilotëve përpara sezonit 2026.



