Jack Doohan është larguar nga skuadra Alpine pas vetëm shtatë paraqitjesh në Formula 1, pa arritur të sigurojë asnjë pikë. Francezët njoftuan se ai do të zëvendësohet nga piloti argjentinas Franco Colapinto duke nisur nga gara e Imolas, i cili do të ketë pesë gara për të provuar veten.
Doohan debutoi në fund të sezonit të kaluar, por edhe këtë vit nuk arriti të shfaqë performancën e pritur. Pavarësisht mbiemrit të “rëndë”, është djali i pesë herë kampionit të botës në motoçiklizëm , ai nuk arriti të lërë gjurmë në Formula 1.
Në një deklaratë për Wide World of Sports, bashkëkombësi i tij, Oscar Piastri, e mbështeti:
“Nëse kjo ishte gara e fundit për Jackun, duhet të jetë krenar. Ka arritur të futet në Formula 1, një gjë që shumë ëndërrojnë, por pak e arrijnë. Ka qenë pilot i F1, këtë nuk mund t’ia mohojë askush”.
Australia ka një histori të pasur në Formula 1, me emra si Jack Brabham, Alan Jones, Mark Webber dhe Daniel Ricciardo. Aktualisht, Piastri po shkëlqen me McLarenin, me katër fitore në gjashtë garat e para të sezonit, duke udhëhequr renditjen e pilotëve.



