Provat e lira premtojnë rivalitet të madh në Imola
P

Provat e lira premtojnë rivalitet të madh në Imola

Piloti i McLaren-it, Oscar Piastri, realizoi kohën më të mirë në stërvitjen e parë përpara garës së shtatë të sezonit në Formula 1, Çmimin e Madh të Emilias-Romanje.

Australiani, i cili ka fituar në tre garat e fundit dhe katër në total që nga fillimi i sezonit, e regjistroi xhiron më të shpejtë në pistën “Enzo e Dino Ferrari” me kohën 1:16.545 minuta.

Më afër Piastrit ishte shoku i tij i skuadrës, Lando Norris, me vetëm 32 mijëtat e sekondës më ngadalë, ndërsa pas tyre renditej Carlos Sainz Jr. i Williams, me vetëm dy të qindtat më shumë.

Diferencat e vogla në krye të renditjes në Imola u vërtetuan edhe nga koha e pilotëve të Mercedesit, George Russell, dhe Lewis Hamilton në Ferrari. Russell ishte vetëm dy mijëtat pas Sainzit, ndërsa shtatë herë kampioni i botës, Hamilton, ishte 96 mijëtat prapa Piastrit. Në total, 18 pilotë ishin brenda një sekonde.

Fillimi i aksionit në Emilia-Romagna u shënua nga një incident në fund të sesionit stërvitor, kur piloti i Kick Sauber, Gabriel Bortoleto, u përplas me barrierat mbrojtëse, duke shkaktuar ndërprerjen e sesionit, pas së cilës nuk pati rifillim.

Siç pritej, në qendër të vëmendjes ishte i preferuari i publikut vendas, Kimi Antonelli, i cili e përfundoi stërvitjen në vendin e 13-të, pesë të dhjetat e sekondës pas liderit të renditjes së përgjithshme.

Verstappen FP1 Imola

Në pistë u rikthye edhe Franco Colapinto, i cili zëvendësoi Jack Doohan në Alpine, dhe ai e përfundoi sesionin në vendin e 17-të.

Pas pesë të parëve, erdhi Pierre Gasly me makinën e Alpine, përpara kampionit aktual Max Verstappen, i cili kishte një diferencë prej 36 të qindtat ndaj Piastrit. Dhjetëshja më e mirë u plotësua nga Alex Albon, Bortoleto dhe Nico Hülkenberg.

TË FUNDIT