Ish-kampioni botëror në Formula 1, Jacques Villeneuve, pas Çmimit të Madh të Emilias Romanjës në Formula 1, ka adresuar kritika të forta ndaj ekipit të McLarenit për mënyrën si menaxhoi situatat gjatë garës në Imola.
Villeneuve, kampion bote në vitin 1997 me ekipin Williams, u shpreh i zhgënjyer me mungesën e agresivitetit në strategjinë e McLarenit, duke thënë se ekipi nuk shfrytëzoi plotësisht potencialin për të sfiduar Max Verstappenin.
“Treguan se janë të dobët. Nuk e kuptojnë fuqinë e Red Bullit, edhe pse ajo shfaqet herë pas here. Janë të frikësuar, kanë frikë të jenë agresivë dhe kjo është shumë, shumë e çuditshme,” deklaroi Villeneuve.
Sipas tij, momenti kyç i garës ishte kthesa e parë, ku Verstappen kaloi pa shumë vështirësi Oscar Piastrin, duke përfituar nga një reagim i ngadaltë i australianit.
“Piastri gaboi në kthesën e parë, u zgjua vonë. Kjo nuk duhet të ndodhë në një kthesë ku askush nuk ka shpejtësinë e duhur. Lando Norris ishte më i shpejtë. Në rifillimin e garës, McLaren e dinte se sa shpejt mund ta kalonte Piastrin për shkak të ndryshimit të gomave. Jam i bindur se Norris do të kishte më shumë mundësi për ta ndjekur Verstappenin në ato tre xhiro. Nuk duhet t’i dhuroni fitore Verstappenit”, theksoi kanadezi.
aI gjithashtu vuri në dyshim kënaqësinë e McLarenit me pozitat e dyta dhe të treta në podium, duke e cilësuar këtë si mungesë ambicie.

“Duket se janë të kënaqur me vendin e dytë dhe të tretë, por me makinën që kanë, McLaren duhet të synojë vendin e parë dhe të dytë. Çdo rezultat më poshtë është zhgënjim. Vendi i parë dhe i tretë mund të pranohet, por ata ishin të lumtur vetëm me të dytin”, përfundoi Villeneuve.
Gara në Imola ishte një tjetër demonstrim force nga Red Bulli dhe Verstappeni, ndërsa McLarenit i mbetet të analizojë nëse mund të përmirësojë strategjitë për të qenë realisht një pretendent për fitore.



