Formula 1 po vazhdon përgatitjet për një nga sezonet më të rëndësishme në historinë e saj. Dihet mirë se F1 e pret një sezon plot ndryshime, me rregullore të reja dhe makina që do të prezantohen në vitin 2026.
Bëhet fjalë për një koncept krejtësisht të ri që do të revolucionarizojë gjithçka që dimë deri tani, dhe te i cili ekipet janë fokusuar prej muajsh.
Një shembull është Aston Martin, që praktikisht e ka mbyllur garimin për vitin 2025. Po ashtu, Audi do të marrë zyrtarisht kontrollin mbi Sauber, ndërsa në nisje të sezonit do të kemi edhe një ekip të 11-të – Cadillac.
Formula 1 do të nisë gjithashtu një bashkëpunim të ri, që tashmë ka befasuar të gjithë tifozët e saj dhe ka entuziazmuar veçanërisht publikun më të ri: “Cirkun e madh” po bashkon forcat me Disney-n dhe “firmos” me Mickey Mouse për vitin e ardhshëm. Siç pohojnë në F1, ky bashkëpunim i ri udhëhiqet nga “afërsia që të dy markat ndajnë për kreativitetin, argëtimin dhe inovacionin”, si dhe nga dëshira për të “bashkuar fansat në mbarë botën përmes përvojave të paharrueshme dhe unike”.
Prandaj, fansat mund të presin praninë e njërit prej personazheve më të dashur të filmave vizatimorë të të gjitha kohërave, nëpërmjet “eksperiencave, përmbajtjeve dhe shitjeve të produkteve në mbarë botën”, me Mikin dhe miqtë e tij. Partneriteti do të nisë në vitin 2026, por nuk janë dhënë detaje të tjera për përmasat e bashkëpunimit, sipas deklaratës së drejtoreshës së çështjeve komerciale të Formula 1, Emily Prazer.

“Bashkëpunimi ynë me Disney-n do të jetë i mrekullueshëm, sepse do t’u paraqesim fansave tanë botën e Mikit dhe miqve të tij, dhe anasjelltas. Kjo përputhet në mënyrë të përkryer me strategjinë tonë për t’u zgjeruar përtej botës së sportit në tregun më të gjerë të konsumatorëve. Nga ana tjetër, ne do t’ia prezantojmë Disney-n 820 milionë fansave tanë në mbarë botën. Është një kombinim fantastik, pasi të dy markat janë të njohura për tejkalimin e kufijve dhe për sjelljen e argëtimit dhe emocioneve për miliona njerëz . Mezi pres të shoh se çfarë do të krijojnë ekipet tona për pistën dhe përtej saj”, shtoi Emily Prazer.



