Ferrari hyn në garën e Monakos me një dozë kujdesi, megjithëse vitin e kaluar festoi në këtë pistë legjendare.
Performanca e ekipit gjatë shtatë garave të para të sezonit 2025 ka qenë nën pritshmëritë, dhe aktualisht zënë vendin e katërt në kampionatin e konstruktorëve, çka nuk përputhet me ambiciet e skuadrës nga Maranello.
Problemi më i madh i Ferrarit këtë sezon është ritmi në kualifikime, një segment kyç pikërisht në Monako, ku pozita e nisjes është pothuajse vendimtare, pasi parakalimi në këtë pistë është praktikisht i pamundur.
Në garën e fundit në Imola, as Charles Leclerc dhe as Lewis Hamilton nuk arritën të hyjnë në fazën e tretë të kualifikimeve (Q3), edhe pse më vonë në garë arritën të marrin pikë.
Charles Leclerc, i cili vitin e kaluar triumfoi në Monako para publikut vendas, nuk ka pritshmëri të mëdha këtë vit.
“Do të jetë një fundjavë shumë e vështirë. Mendoj se Monako do të zbulojë shumë dobësi të makinës sonë. Ka edhe faktorë që nuk mund t’i parashikosh, veçanërisht në kualifikime, ku rrezikon shumë. Mjeti është i konfiguruar në një mënyrë krejt tjetër, ndaj shpresoj që ndoshta të na befasojë,” tha Leclerc.
Për Lewis Hamilton, kjo do të jetë paraqitja e tij e parë në Monako për Ferrarin, por edhe për të ekziston një dozë pasigurie.

Edhe pse është kampion bote shumë herë, ai nuk ka fituar në këtë pistë që nga viti 2019. Megjithatë, Hamilton planifikon të provojë disa ide të reja, të cilat deri tani nuk kanë qenë në fokus:
“Sinqerisht, nuk jam i sigurt. Po hasim vështirësi, veçanërisht në kualifikime. Kam disa ide që dua t’i zbatoj javën e ardhshme, disa gjëra që deri më tani kanë qenë në plan të dytë sepse kemi pasur prioritete të tjera. Shpresoj që të arrijmë të çlirojmë më shumë performancë. Me të vërtetë nuk e di si do të sillet makina”, tha Hamilton.



