Ëndrra e çdo piloti të Formula 1 nuk është vetëm të fitojë, por të ngrejë kupën. Ai moment zgjat vetëm disa sekonda, por mbetet i paharrueshëm përgjithmonë. Pas çdo trofeu fshihet shumë më tepër sesa shkëlqimi i metalit dhe qëndrimi në podium. Aty janë vite pune, qindra xhiro, mijëra vendime dhe ndonjë rregull i pashkruar.
Gjatë 75 viteve të Formula 1, në këtë sport kanë marrë pjesë 781 pilotë. Vetëm 115 prej tyre kanë arritur të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit. Janë dhënë gjithsej 1.131 kupa për fitore, më së shumti për Lewis Hamilton, i cili në koleksionin e tij ka një rekord prej 105 trofesh.

Megjithatë, pak dihet se edhe vetë trofetë në Formula 1 kanë rregulloren e tyre. Në çdo garë ndahen katër kupa: për fituesin, për vendin e dytë, për vendin e tretë dhe për konstruktorin më të mirë. Organizatorët vendosin për dizajnin, por janë të detyruar të respektojnë rregulla të sakta, çdo trofe duhet të ketë logon e Formula 1, emrin zyrtar të garës dhe të tregojë qartë pozitën në të cilën ka përfunduar piloti.



