Kampioni botëror në Formula 1, Max Verstappen ka thënë se nuk po mendon për titullin e këtij sezoni, edhe pse është vetëm 25 pikë pas liderit Oscar Piastri.
Pas garës në Monte Karlo, ku përfundoi i katërti, Verstappen pranoi se Red Bull nuk ishte konkurrues dhe strategjia me ndalesën e dytë nuk dha rezultat.
“Po e marrim garë pas gare. Në disa pista jemi mirë, në disa të tjera kemi probleme. Në Monako ishte e qartë që nuk do të bënim më shumë”, tha Verstappen.
Fundjavën e ardhshme, Formula 1 zhvendoset në Barcelonë, një pistë kyçe për shkak të karakteristikave teknike. Po ashtu, aty hyjnë në fuqi rregullat e reja që kufizojnë përkuljen e krahëve të përparmë, nga 15 në 10 mm, gjë që mund të ndikojë negativisht te McLaren.



