Sainz reagon pas “manipulimeve” në Monako
S

Sainz reagon pas “manipulimeve” në Monako

Pas Çmimit të Madh të Monakos, Carlos Sainz kritikoi taktikat e skuadrave që, për të përfituar nga rregulli i ri për dy ndalesa të detyrueshme në bokse, ngadalësuan qëllimisht ritmin e garës.

Sipas Sainz, kjo strategji, e cila u përdor edhe nga Williams, ku ai dhe Alex Albon mbajtën njëri-tjetrin për të ruajtur pozitat, përbën manipulim të rezultatit: “Nëse vozit dy-tri sekonda më ngadalë se sa mund të përballojë makina, atëherë po manipulon garën”, tha ai.

E gjithë situata nisi kur Liam Lawson ngadalësoi për t’i mundësuar shokut të tij të skuadrës, Hadjar, dy ndalesa pa humbje pozicionesh. Më pas e njëjta taktikë u ndoq edhe nga skuadra të tjera, duke krijuar kolona të ngadalta dhe pak mundësi për parakalime në rrugicat e ngushta të Monakos.

George Russell nga Mercedes tentoi të parakalonte jashtë rregullave për të shmangur ritmin e ulët, por u ndëshkua me penalizim.

Sainz shprehu dëshirën që ky manipulim të mos përsëritet: “Nuk është mënyra si dua të garoj. Shpresoj të gjendet një zgjidhje më e mirë”.

Williams përfundoi garën në vendin e 9-të dhe të 10-të, duke vijuar formën e mirë dhe mbajtur vendin e pestë në renditjen e konstruktorëve me 54 pikë.

TË FUNDIT