Piloti i Ferrarit, Lewis Hamilton, e fajësoi veten për, siç e quajti ai, një garë të tmerrshme në Formula 1 për Çmimin e Madh të Spanjës, të cilën e përfundoi në vendin e gjashtë.
Hamilton garën në Barcelonë e nisi nga pozita e pestë, por shumë shpejt u sulmua nga shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, të cilit shtatë herë kampioni botëror, me kërkesë të ekipit, ia la vendin pas vetëm nëntë xhirosh.
Britaniku qëndroi kryesisht i vetëm në vendin e pestë, deri kur ndaloi më gjatë gjatë hyrjes së dytë në bokse, dhe atë pozicion ia mori ish-shoku i tij i skuadrës, George Russell nga Mercedes.
Pas daljes së makinës së sigurisë në pistë, Hamilton pati një mundësi për të rikuperuar pozitën, por u parakalua nga piloti i Sauberit, Nico Hulkenberg.
“Po çfarë doni të them? Kam pasur vërtet një ditë të keqe dhe nuk kam çfarë të them. Dita ishte e vështirë. Nuk kam asgjë për të shtuar. Ishte e tmerrshme. Nuk ka kuptim të shpjegoj. Nuk është faji juaj, thjesht nuk di çfarë të them”, tha Hamilton, sipas Sky Sports.
I pyetur nëse ekipi mund t’i japë ndonjë përgjigje, Hamilton u përgjigj: “Jam i sigurt që jo, ndoshta është thjesht faji im”, shtoi ai.
Hamilton kishte shpresuar të ngjitej në podium në Barcelonë, por tha se nuk mund të nxjerrë asgjë pozitive nga ajo garë.

“Nuk kam asnjë ide pse ishte kaq keq. Ishte gara më e keqe që kam pasur ndonjëherë sa i përket balancës”, tha Hamilton, rekordmen në numrin e fitoreve (105) dhe pole position (104) në Formula 1.
Gara e radhës zhvillohet më 15 qershor në Montreal, për Çmimin e Madh të Kanadasë.



