Spanjolli Carlos Sainz ka folur për problemet e hasura pas ndryshimit të skuadrës dhe makinave për të pilotuar këtë vit. Ish-piloti i Ferrarit, tani në Williams, u shpreh në favor të Lewis Hamilton, i cili e zëvendësoi këtë vit në ekipin e Maranellos dhe që ka probleme me “kokëkuqen”.
“Dikur shihej si një justifikim, por tani që një pilot shtatë herë kampion bote ndryshon ekipin dhe lufton për të kapur podiumin, ne fillojmë të kuptojmë se sa e vështirë është të përshtatet me një ekip të ri, makinë të re”, ka thënë Sainz.
“E kuptoj, sepse e di sa e komplikuar është”, tha spanjolli në një intervistë për “Mundo Deportivo”.

“Më është dashur të vuaj ndryshimin e ekipeve pesë herë dhe është diçka për të cilën praktikisht nuk është folur kurrë më parë. Është procesi i përshtatjes. Të gjithë prisnin që unë të isha gati deri në garën e tretë. Dukej sikur njerëzit nuk e kuptonin dhe e konsideronin një justifikim, tani e shohim se sa i kushton ndryshimi edhe Hamilton. Kjo konfirmon atë që thashë”, shtoi Sainz.



