Gazmend Demolli i Prishtina Racing Team është fitues i garës “Grashtica 2025”, e para në këtë disiplinë për kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.
Demolli me Mitsubishi Evo 9, shtegun me gjatësi prej 3 kilometra e kaloi për kohën 01:37.521 dhe 01:35.191 minuta, koha e përgjithshme 03:12.712 minuta.
“Jam i kënaqur me fitoren dhe rezultatin që ishte shumë afër rekordit të kohës së arritur me vetura. Përveç kësaj, ishte hera e parë që garova me këtë veturë në Grashticë. Gjithsesi pres që në garat e ardhshme të kem rezultate edhe më të mira”, ka thënë Demolli, i cili e mban edhe rekpordin e shtegut, të arritur në vitin 2022 me Radicall SR8 LM, kur në cak pati arritur për kohën 01:32.724 minuta.
I dyti në plasmanin e përgjithshëm u rendit anëtari i Eurogoma Racing Team, Valon Rexhepi, i cili me Opel Astra OPC, pati kohën prej 01:42.728 dhe 01:42.212 minuta.
Në podium u gjend edhe Bekim Kovaçi i SHAM AK Prizreni D&G. Kovaçi me Honda Civic në cak arriti për 01:49.000 dhe 01:47.776 minuta.
Ajo që ra në sy në garën e Grashticës ishte debutimi i shkëlqyeshëm i Don Kaçandollit, i cili doli i pari në Klasën 1, deri 1400 ccm E1.
Doni i AK Kaçandolli me Suzuki Swift GTI, në plasmanin e përgjithshëm u rendit i nënti, duke dhënë sinjal të fuqishëm që është e ardhmja e automobilizmit kosovar.
Në plasmanin ekipor, Prishtina RT u rendit e para me 45 pikë, e pasuar nga Prizreni D&G me 40, AK Ferizaj 35, AK Auto Kaçandolli 20, Eurogoma RT 15, AMTKK 15, HCR Gjakova 12 dhe DTM me 10 pikë.
Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:
https://kstiming.com/



