Fernando Alonso ka lënë të hapur mundësinë për t’u tërhequr nga Formula 1 pas vitit 2026, duke theksuar se bolidi i Aston Martin për atë sezon do të ketë ndikim të madh në vendimin e tij.
Piloti spanjoll, i cili do të jetë 45 vjeç në fund të kontratës me ekipin, tha për “Sky” se ndonëse makina e re nuk do të jetë faktori vendimtar, do të luajë një rol të rëndësishëm nëse do të vazhdojë apo jo.
“Çdo vit sjell ndjenja të ndryshme, motivimi, forma fizike, edhe situata personale ndikojnë. Por për momentin, jam ende i lumtur dhe i motivuar”, u shpreh Alonso.
Ai komentoi edhe për ardhjen e Adrian Newey në skuadër, duke e quajtur një prani që “rrit nivelin e përqendrimit dhe punës në ekip”.

Aston Martin do të jetë i vetmi ekip me motorë Honda në vitin 2026, dhe Alonso theksoi se fokusi kryesor tashmë është drejt atij sezoni.
Gara e radhës në Formula 1 është ajo për Çmimin e Madh të Kanadasë, që zhvillohet më 15 qershor në Montreal.



