Formula 1 zhvendoset në Kanada, Ferrari ende “e kërkon” Hamiltonin
F

Formula 1 zhvendoset në Kanada, Ferrari ende “e kërkon” Hamiltonin

Pas tri garave evropiane, Formula 1 do të transferohet përtej oqeanit për Çmimin e Madh të Kanadasë, një event që konsiderohet si udhëkryq i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar për Botërorin.

Pista qytetase “Gilles Villeneuve” në Montreal nuk i ka buzëqeshur shumë Ferrarit, të paktën kohët e fundit.

Duke mbyllur epopenë e Michael Schumacherit (6 fitore në 8 vite nga 1997-ta deri në vitin 2004-ën), “kokëkuqja” është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit vetëm një herë në vitin 2018 me gjermanin Sebastian Vettel. Në 15 vitet e fundit, në fakt, Red Bull dhe Mercedes kanë alternuar fitoret në këtë cirkuit. Ferrari ka pasur progres në tripletën e garave europiane në Imola-Monte Karlo-Barcelona, me dy podiume nga Leclerc, ndërsa tani kërkohet konfirmimi i hapave përpara.

Me një McLaren superdominues, dilema për Ferrarin dhe për skuadrat e tjera ka të bëjë me nevojën për të devijuar energjinë dhe buxhetin në fokus për vitin 2026. Duke u kthyer në Montreal, Max Verstappen vjen si fitues në fuqi në këtë pistë. Ndërkohë nga pilotët aktualë në F1, përveç holandezit të Red Bullit vetëm dy të tjerë regjistrojnë fitore në Kanada, Fernando Alonso në vitin 2006 me makinën Renault dhe Lewis Hamilton, i cili shënoi fitoren e parë të karrierës (me McLaren) 12 muaj pas Alonsos.

Që nga ajo kohë, “Sir” Lewis do ta ngrinte kupën e fituesit gjashtë herë të tjera në Kanada (dy të tjera me McLaren dhe katër me Mercedesin). Një seri me shtatë suksese, të cilën më parë e ka arritur vetëm Michael Schumacher (me Beneton dhe Ferrari). Pra Montreali do të ishte vendi dhe konteksti i duhur që piloti britanik t’i jepte gëzimin e parë eksperiencës së tij të errët deri më tani me Ferrarin.

TË FUNDIT