Në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, Finlanda arriti një fitore me rezultat 2-1 ndaj Polonisë në Helsinki, por takimi u ndërpre për 10 minuta për shkak të një emergjence mjekësore në tribunë.
Në minutën e 72-të, një tifoz pësoi atak në zemër dhe humbi ndjenjat, duke shkaktuar panik mes spektatorëve. Reagimi i menjëhershëm i tifozëve dhe ekipeve mjekësore të të dy skuadrave ishte vendimtar për të dhënë ndihmën e parë, transmeton AutoPortali.
Gjyqtari Joao Pinheiro ndaloi ndeshjen dhe dërgoi lojtarët në dhomat e zhveshjes, ndërsa rojet e sigurisë mbuluan tifozin me ceradë për të ruajtur privatësinë dhe për të parandaluar incizimet.
Pas ndërhyrjes së shpejtë, tifozit iu dha ndihma dhe u transportua me barelë në spital, ku sipas mediave finlandeze, ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndeshja u rifillua dhe përfundoi me 12 minuta shtesë të vendosura nga gjyqtari.



