Pas përfundimit të ciklit të ndeshjeve të qershorit, 13 përfaqësuese tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përveç tre vendeve mikpritëse, janë kualifikuar edhe gjashtë ekipe nga Azia, tre nga Amerika e Jugut dhe një nga Oqeania, transmeton AutoPortali.
Ndër më të veçantët janë dy debutuesit, Jordania dhe Uzbekistani, që arritën sukses historik pas një rrugëtimi të gjatë në eliminatoret aziatike.
Nga Azia do të marrin pjesë gjithashtu Japonia, Irani, Koreja e Jugut dhe Australia. Në kontinentin amerikan, vendin e tyre e kanë siguruar Argjentina, Brazili dhe Ekuadori, ndërsa Zelanda e Re përfaqëson Oqeaninë.
Pjesa tjetër prej 35 skuadrash do të përcaktohet në fazat e ardhshme të kualifikueseve. Europa pritet të përfaqësohet me 16 ekipe, ndërsa disa përfaqësuese si Norvegjia, Bosnje e Hercegovina, Anglia dhe Çekia janë në rrugë të mbarë drejt kualifikimit.



